Fatjon Cuka
16 Prill 2020•Përditësim: 17 Prill 2020
Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancë plenare, ndërsa diskutimet u përqendruan në aktet normative të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, të cilat lidhen me masat e marra për përballimin e situatës së krijuar në vend nga pandemia COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Deputetët e pranishëm në seancë mbanin maska, ndërsa ndryshe nga seancat e tjera qëndruan në distancë më të largët nga njëri-tjetri.
Në fjalën e tij në seancë, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha se edhe pse situata ishte e rëndë e me kufizime drastike, Kuvendi vazhdon punën në format e imponuara nga pandemia, deputetët mbajnë lidhje me qytetarët dhe agjencitë e shtetit po kontribuojnë në plotësimin e nevojave jetësore të tyre bazike.
"Kuvendi i Shqipërisë është sot në krye të detyrës, në rrethana të jashtëzakonshme, në kushtet e luftës me një armik të padukshëm për syrin njerëzor, por tepër të rrezikshëm për jetët njerëzore në të gjithë globin. Kjo betejë nuk do të kishte rezultuar e suksesshme nëse qytetarët e Shqipërisë nuk do t’u ishin bashkuar masave të Qeverisë", është shprehur Ruçi, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkaq, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në seancë tha se Shqipëria ka dhënë në mbështetje të njerëzve në nevojë dhe në mbështetje të kësaj situate 4 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Rama theksoi më tej se "Shqipëria ia ka dalë fazës së parë të përballjes me këtë armik të padukshëm".
Në përfundim të seancës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi aktin normativ të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, si dhe miratoi akte të tjera normative që lidhen me ndryshimet mbi masat kundër përhapjes së koronavirusit të ri.
Akti normativ ka si qëllim përcaktimin dhe forcimin e zbatimit të rregullave, të vendimeve, të urdhrave dhe të udhëzimeve të nxjerra nga organet kompetente, në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
Gjithashtu janë miratuar edhe ndryshimet në Kodin Penal, në lidhje me dënimet për shkeljen e rregullave në periudhën e fatkeqësive natyrore ose të epidemive.
Kujtojmë se në Shqipëri deri tani janë konfirmuar 518 raste pozitive me COVID-19, përfshirë edhe 26 personat që kanë ndërruar jetë, ndërsa mes tyre 277 janë shëruar.
Në Shqipëri është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa institucionet kanë marrë masa të shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.