Fatjon Cuka
31 Dhjetor 2021•Përditësim: 31 Dhjetor 2021
Policia e Shqipërisë gjatë një operacioni ka sekuestruar 119 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe ka ndaluar tre shtetas shqiptarë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë thuhet se gjatë kontrollit në brendësi të një kontejneri të ngarkuar me banane, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan lëndën narkotike.
Sipas policisë, kontejneri ka kaluar tranzit në një port në Itali, ku autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e plumçes (vulës), dhe më pas kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit.
"Përgjatë rrugës nacionale Durrës – Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontejnerin është ndaluar nga persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe kontejnerin me banane dhe më pas janë larguar me shpejtësi pas kontrollit të kontejnerit. Për këtë situatë, përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve kanë njoftuar Policinë e Shtetit", thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë ushtruar kontroll në kamionin që transportonte kontejnerin me lëndë narkotike.