Fatjon Cuka
05 gusht 2021•Përditësim: 06 gusht 2021
Në Shqipëri vazhdojnë të jenë aktive disa vatra zjarri në qarqe të ndryshime të vendit, ndërkohë vazhdojnë edhe operacionit për shuarjen e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, në raportimin e saj të fundit ka njoftuar se në të gjithë vendin janë 6 vatra aktive zjarri në disa qarqe, si në Vlorë, Shkodër dhe në Gjirokastër.
Situata më problematike paraqitet në Qarkun e Vlorës, ku në fshatra dhe Gadishullin e Karaburunit janë aktive vatrat e zjarrit.
Për shuarjen e zjarreve vazhdojnë operacionet me angazhimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shërbimeve të zjarrfikësve dhe njësive të tjera.
Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, në një video të publikuar në rrjetet sociale u ka bërë thirrje banorëve të zbatojnë urdhrat e strukturave të Mbrojtjes Civile për evakuim, pasi sipas tij është ende një situatë e vështirë.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i Shqipërisë (IGJEUM) ka njoftuar se përsëri sot dhe nesër pritet nivel i lartë rreziku nga zjarret në pjesën më të madhe të qarqeve.
Sipas institutit, qarqet me rrezik më të lartë janë qarqet e Fierit, Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës.
Ndërkohë, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian ka vënë në dispozicion dy helikopterë të specializuar nga Republika Çeke dhe Holanda që pritet të mbërrijnë në Shqipëri.
Kujtojmë se një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar në Shqipëri nga zjarret që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit, kryesisht në jug të vendit, ndërkohë janë dëmtuar dhe sipërfaqe me pyje dhe shkurre.