Fatjon Cuka
18 Qershor 2020•Përditësim: 19 Qershor 2020
Në Shqipëri edhe dy persona të tjerë të konfirmuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë ndërruar jetë, duke e rritur numrin e vdekjeve gjithsej në 41 që nga fillimi i pandemisë, transmeton Anadolu Agency(AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se gjatë orëve të fundit një pacient 67-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv në Tiranë i prekur nga COVID19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese. Po në Spitalin Infektiv ndërroi jetë nga COVID-19 edhe një paciente 73-vjeçare nga Shkodra.
"Nga fillimi i pandemisë, 41 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID-19", ka konfirmuar ministria.
Kujtojmë se deri tani në Shqipëri janë konfirmuar gjithsej 1.788 raste pozitive me koronavirus, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë dhe 1.086 të shëruar.
Për shkak të COVID-19, në Shqipëri vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore që është në fuqi deri më 23 qershor.