Fatjon Cuka
01 Maj 2020•Përditësim: 02 Maj 2020
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në Shqipëri është rritur në 782 numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) me konfirmimin edhe të nëntë rasteve të reja, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 245 persona të dyshuar me COVID-19.
“Që nga fillimi e deri më sot janë konfirmuar pozitiv me COVID-19 në të gjithë vendin 782 qytetarë. Prej tyre janë 488 të shëruar. Momentalisht situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme. Harta e të shëruarve është zgjeruar në të gjithë vendin. Aktualisht janë 263 pacientët aktivë me COVID19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se deri tani 31 persona në Shqipëri kanë humbur jetën nga COVID-19.
Në Shqipëri për shkak të COVID-19 është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Institucionet kanë filluar lehtësimin për disa nga masat kufizuese këtë javë, ndërsa disa kategori të bizneseve kanë filluar që të ushtrojnë aktivitetet e tyre.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në vijim të strategjisë së rihapjes graduale prej datës 11 maj do të lehtësohen në aktivitetet e tyre një grup tjetër biznesesh, të cilat do të hapen me protokolle rigoroze sigurie.