Fatjon Cuka
18 Maj 2020•Përditësim: 18 Maj 2020
Policia e Durrësit ka sekuestruar rreth 38 kilogramë heroinë, ndërsa ka arrestuar një person që sipas policisë po transportonte me kamion lëndën narkotike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës thuhet se Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka parandaluar një tentativë për trafikim të drogave të forta.
"Vihet në pranga 49-vjeçari që po transportonte me kamion lëndën narkotike dhe sekuestrohen 68 pako me lëndë narkotike heroinë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike heroinë me peshë totale rreth 38 kilogramë", thuhet në njoftimin e policisë.
Ndaj shtetasit shqiptar të arrestuar do të vazhdojnë hetimet për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim".