Fatjon Cuka
05 Maj 2021•Përditësim: 06 Maj 2021
Me disa ceremoni të ndryshme në Shqipëri është shënuar Dita e Dëshmorëve të Atdheut, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia qendrore zyrtare është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku zyrtarët e lartë të vendit si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ministra dhe zyrtarë të tjerë vendosën kurora me lule pranë Monumentit "Nëna Shqipëri".
Pas homazheve në nderim të dëshmorëve, presidenti Meta në një prononcim për mediat tha se kujtojnë të gjithë dëshmorët që bënë sakrificat më sublime për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
"Sot është jo vetëm dita t’i nderojmë këta heronj dhe heroina të popullit tonë, por njëkohësisht edhe të angazhohemi, që të bëjmë shumë më tepër në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë të gjitha liritë, që u takojnë në vendin e tyre, në mënyrë, që Shqipëria, të ketë vendin që meriton sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe sidomos që të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë të kenë një të ardhme evropiane këtu, në vendin e tyre", u shpreh Meta.
Me rastin e kësaj dite, zyrtarë të lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre në përkujtim të dëshmorëve, ndërkohë ceremoni përkujtimore janë organizuar edhe në qytete të tjera të vendit.
Ndërkohë, 5 maj është caktuar me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita Përkujtimore e Dëshmorëve të Atdheut.