Fatjon Cuka
05 Maj 2022•Përditësim: 06 Maj 2022
Me aktivitete dhe ceremoni të ndryshme në Shqipëri është shënuar 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut, raporton Andolu Agency(AA).
Ceremonia zyrtare qendrore është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të vendit, si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, zv/kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, ministra dhe zyrtarë të tjerë të vendit.
Zyrtarët bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në Monumentin “Nëna Shqipëri”, në kujtim dhe nderim të dëshmorëve.
Në një prononcim për mediat pas homazhe, presidenti Meta u shpreh se Dita e Dëshmorëve është një ditë shumë e rëndësishme.
"Është një ditë, jo vetëm për të nderuar sakrificat e tyre më sublime, por njëkohësisht, edhe një ditë reflektimi dhe angazhimi, për të pasur gjithmonë të shenjta, sovranitetin, lirinë dhe pavarësinë e Atdheut”, theksoi Meta.
Ndërkohë, aktivitete përkujtimore janë organizuar edhe nga institucione të tjera për dëshmorët e policisë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Kujtojmë se 5 Maji është caktuar me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita e Dëshmorëve të Atdheut.