Hassan Isilow
08 dhjetor 2015•Përditësim: 09 dhjetor 2015
PRETORI (AA) – Gjykata e Lartë e Afrikës së Jugut i akordoi kaucion në vlerë prej 10 mijë rand (690 dollarë) ish vrapuesit olimpik të Afrikës së Jugut, Oscar Pistorius i cili u dënua për vrasjen e të dashurës së tij, Reeva Steenkamp, raporton Anadolu Agency (AA).
“Procesi është shtyrë për datën 18 prill 2016. Aplikuesi është lëshuar me kaucion prej 10 mijë rand", deklaroi zëvendëspresident i Gjyqit, Aubrey Ledwaba.
Javën e kaluar, gjykata Supreme e Apelit në Bloemfontein, shpalli Pistoriusin fajtor për vrasje të të dashurës së tij duke rikthyer akuzën për vrasje.
Nga kushtet e kaucionit është edhe qëndrimi i atletit në shtëpinë e xhaxhait të tij në Pretoria të cilën nuk guxon ta braktisë pa patur leje paraprake nga zyrtarët hetues të përfshirë në lëndë.
Lëvizjet e tij do të jenë të kufizuara në 20 kilometra nga shtëpia ku do të qëndrojë.
Gjykatësi Ledwaba, kërkoi poshtu nga Pistorius të dorëzojë pasaportën dhe të mos aplikojë për dokumente të tjera deri në mbyllje të rastit.
Ai do të mbajë një pajisje elektronike me të cilën do të monitorohen lëvizjet e tij.
Mbrojtja e tij ka deklaruar se do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me akuzën për vrasje.
Ligji afrikan, parasheh dënim në kohëzgjatje prej15 vitesh në rast se i akuzuari dënohet për vrasje.
Pistorius më parë u dënua me pesë vjet burg për vrasjen e të dashurës së tij Reeva Steenkam nga pakujdesia, më 14 shkurt të vitit 2013 në shtëpinë e tyre në kryeqytetin jugoafrikan, Pretoria. Dënimin e vuajti duke qenë në arrest shtëpiak.
Prokurorët kanë kërkuar rikualifikimin e vrasjes nga pakujdesia në vrasje klasike, ndërsa kjo do të thotë edhe një dënim më të rëndë dhe kthimin e Pistorius në burg.
Atleti ka mohuar se ka shtënë me qëllim ndaj të dashurës së tij, duke thënë se ka menduar se në shtëpi iu kishte hyrë një hajn.
I njohur si "Blade Runner", Pistorius ka lindur pa kockën mbërthyese tek të dy këmbët (fibula- peroneus), dhe për këtë arsye i janë prerë kembët kur kishte disa muaj. Ai hyri në histori në vitin 2012 si sportisti i parë me të dy këmbët e prera që garoi në Lojërat Olimpike.