Umur Koçak Semiz
26 shkurt 2016•Përditësim: 26 shkurt 2016
BAKU (AA) - Në kryeqytetin e Azerbejxhanit Baku sot të mbijetuarit me lot në sy dhe dhimbje në zemër, në përvjetorin e 24, përkujtuan me mall ngjarjen tragjike kur forcat armene ekzekutuan 613 shtetas të Azerbejxhanit, ndër të cilët kishte gra dhe fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).
Përveç kësaj, 487 persona të tjerë u plagosën, nga të cilët 76 fëmijë dhe 1.275 njerëz u burgosën. Për shkak të pushtimit të një pjese të territorit të Azerbejxhanit rreth një milion njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dhe ende jetojnë si refugjatë.
Turma me flamuj të Azerbejxhanit në duar, vendosën karajfilë të kuq në shenjë përkujtimi.
Roza Memmedova për AA tregoi për atë se çfarë kishte ndodhur atë ditë në Hoxhali, se si ishin detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe humbjen e më të dashurve të tyre, miqve dhe fqinjëve të shumtë.
"E vetmja gjë që dua tani është çlirimi i vendit tonë nga pushtimi. Atëherë shpirtrat e atyre që u vranë do të gjejnë paqen e tyre", tha Memmedova e cila siç tregon edhe vet ishte e plagosur, kurse burri i saj u vra.
Valeh Huseyinov, i cili humbi gruan e tij në masakër, kurse ai u burgos, tregon për torturat që kishte përjetuar.
"Ne iu nënshtruam torturave. Ata më thyen dhëmbët dhe brinjtë, nuk kishte pjesë të trupit që nuk pësoi tortura. Është e vështirë të kujtoj këto momente. Kanë kaluar 24 vite, por dhimbja ende jeton me mua", tha Huseyinov.