Ekip
03 Gusht 2017•Përditësim: 03 Gusht 2017
NEW DELHI (AA) - Policia në pjesën veriore të Indisë është e habitur nga një sërë krimesh të pazakonta, në shënjestër të të cilave janë flokët e grave, raporton Anadolu Agency (AA).
Mediat e atjeshme kanë shkruar se në shtetet Haryana, Rajasthan, Delhi, Uttar Pradesh dhe Madhya Pradesh, gratë kanë raportuar se u është shfaqur një figurë misterioze e cila i bën të humbin vetëdijen, dhe vetëm pasi të zgjohen e gjejnë veten të shtrirë për toke dhe me flokë të prera të hedhura në dysheme.
Incidentet e raportuara i janë atribuar magjisë, më konkretisht një bande që përpiqet të terrorizojë njerëzit duke shkaktuar histeri masive.
"Hindustan Times" dhe gazeta të tjera raportuan se një grua e moshuar u vra të martën nga banorët e fshatit Agra në shtetin Uttar Pradesh, pasi kishin meduar se ajo është “berberi fantazmë”.
Familja e saj tha se ajo ka qenë e pafajshme dhe se në kohën kur është vrarë ajo kishte humbur rrugën natën.
Gjatë dy javëve të fundit, në polici janë raportuar mbi 40 raste të “berberit fantazmë”.
"Kjo është diçka shumë e çuditshme. Ekipet e policisë kanë punuar për të zgjidhur misterin që ka shoqëruar incidentet e tilla të çuditshme. Njerëzit nuk duhet të besojnë në thashetheme", tha zëdhënës i policisë në qytetin Gurgaon, Ravinder Kumar.
Denoncimi i parë në polici është bërë muajin e kaluar, atëherë kur një grua kishte “parë një burrë tek dera e shtëpisë, i cili përkundër mbylljes së derës ishte futur brenda, duke bërë atë të humb vetëdijen”.
Gruaja i kishte thënë policisë se kur është zgjuar kishte parë flokët e saj të prera të hedhura në dysheme.
Shumë njerëz në Indi thonë se bëhet fjalë për një histeri masive të prodhuar nga gratë amvise të cilat rrallë braktisin shtëpinë.