Mahmut Geldi
24 Shkurt 2017•Përditësim: 24 Shkurt 2017
TRIPOLI (AA) - Një delegacion i Fondacionit Humanitar Turk për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut - IHH, ka vizituar burgun el-Hadbe në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informatave të siguruara nga delegacioni i IHH-së, delegacioni, i cili gjendet në Libi në kuadër të aktiviteteve humanitare, me pëlqim edhe të kryeprokurorit, ka vizituar burgun Hadbe, në të cilin aktualisht vuajnë dënimin me burg figura simbolike të regjimit, siç janë i biri i ish-liderit të përmbysur Muammer Gaddafi, Es-Sadi, ish-shefi i shërbimit informativ Abdullah es-Senusi dhe ish-kryeministri El Bagdadi el-Mahmudi.
Delegacioni ka njoftuar se janë takuar me Gaddafin, Senusin dhe Mahmudin dhe janë njoftuar në lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore. Ata po ashtu kanë theksuar se të burgosurve në burgun Hadbe nuk u bëhet torturë, megjithatë, ata ankohen për vonimin e seancave gjyqësore në gjykata.
Duke tërhequr vëmendjen se IHH është interesuar edhe në lidhje me të drejtat dhe liritë e njeriut, delegacioni ka bërë të ditur se do të përgatitet raport i detajuar në lidhje me vizitën në burgun Hadbe dhe të burgosurit që gjenden në të.
"Iniciativa jonë për realizimin e kësaj vizite, nuk është përpjekje për të ndikuar në procesion vijues të gjykimit ndaj të burgosurve. Këtë vizitë e realizuam në përputhje me ligjet e vendit dhe me leje të kryeprokurorit, me qëllim që të realizojmë punime humanitare, të përmirësojmë kushtet jetësore të të burgosurve në burg dhe të ndihmojmë në zgjidhjen e problemeve shëndetësore", thonë nga delegacioni i IHH-së.
Ndryshe, Sadi, në shtator të vitit 2011 ishte strehuar në Niger pak para përmbysjes së të atit Muammer Gaddafi. Ndërkaq, qeveria e Nigerit, edhe përkundër thirrjeve të qeverisë libiane të krijuar pas revolucionit, bëri të ditur se ka pranuar kërkesën e Sadit për, siç ishte thënë, "arsye njerëzore" dhe se nuk do ta dorëzojë atë. Megjithatë, në vitin 2014, Nigeri e dorëzoi Sadin pasi Interpoli lëshoi urdhër arresti me kërkesë të Libisë.
Ndërkaq, Gjykata e Apelit në Tripoli më 28 korrik të vitit 2015 kishte dhënë vendimin me vdekje për të birin e liderit të përmbysur libian Gaddafi, Saifulislam, ish-kryeministrin Mahmudi dhe ish-shefin e shërbimit informativ Senusi.
Të pandehurit gjykoheshin nën akuzat se gjatë kryengritjes popullore të filluar më 17 shkurt të vitit 2011, "kanë shtypur protestat duke përdorur dhunë dhe kanë vrarë protestuesit, kanë rrethuar fshatra dhe qytete dhe kanë dëmtuar pasuritë publike".