Hasan Tosun
15 Dhjetor 2015•Përditësim: 16 Dhjetor 2015
VJENË (AA) – Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) ka pezulluar hetimin për hulumtimin e programit bërthamor iranian, raporton Anadolu Agency (AA).
IAEA ka pranuar draftin me të cilin në rend dite të kësaj organizate hiqet çështja lidhur me aktivitetet bërthamore iraniane që me siguri përmban edhe dimension ushtarak. Drafti në takimin e sotëm të Këshillit drejtues të IAEA-së në Vjenë njëzëri është pranuar.
Përfaqësuesi iranian në IAEA, Reza Najafi, deklaroi se është mbyllur hetimi për Iranin, i gjatë 12 vite. “Kjo është një ditë historike për ne. Sot është bërë një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e problemit i cili shkaktoi mospajtime të panevojshme mes kësaj agjencie dhe Iranit vite të tëra”, tha Najafi.
Ai theksoi se ky vendim hap rrugën drejt heqjes së sanksioneve të imponuara ndaj Iranit.
Yukiya Amano, drejtor i IAEA-së, deklaroi se është pranuar drafti, duke shtuar se do të vazhdojë mbikëqyrja e Iranit në pajtim me marrëveshjen bërthamore.
Ai më tej tha se agjencia ndërkombëtare për energji bërthamore ka konfirmuar se nuk ekzistojnë dëshmi se Irani zhvillon armë bërthamore.
“Mosbesimi i trashëguar mes Iranit dhe bashkësisë ndërkombëtare doemos duhet të tejkalohet”, tha Amano.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) njoftoi se nuk ka gjetur “aktivitete treguese autentike në Iran që janë relevante për zhvillimin e mjetit shpërthyes bërthamor pas vitit 2009”.