Muhammet Kurşun
11 Qershor 2020•Përditësim: 12 Qershor 2020
Me 78 vdekjet e reja të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit me koronavirusin e ri (COVID-19) në Iran, rritet në 8.584 numri i vdekjeve në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit, Sima Sadat Lari, njoftoi se në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë shënuar 78 vdekje dhe 2.238 raste të reja me COVID-19.
Me këtë ka arritur në 8.584 numri gjithsej i vdekjeve dhe në 180.156 numri i rasteve me COVID-19 në vend.
Lari tha se numri i të shëruarve që janë liruar nga spitalet deri më tani ka arritur në 142.663 dhe se numri gjithsej i testeve të kryera në vend ka arritur në 1.183.208.
Ajo theksoi se rajonet Khuzestan, Hormozgan, Kermanshah, Kurdistan dhe Kirman vazhdojnë të mbeten "zonë e kuqe".
Numri i rasteve me COVID-19 në Iran shënoi ulje deri në 800 në fillim të muajit maj, por shifrat filluan sërish të rriten pas heqjes së kufizimeve.
Koronavirusi për herë të parë në Iran u shfaq më 19 shkurt në qytetin Qom.