Riyaz ul Khaliq
19 Korrik 2019•Përditësim: 22 Korrik 2019
Japonia sot ka kritikuar ashpër refuzimin e Koresë së Jugut për kërkimin e ndërmjetësimit të palës së tretë lidhur me çështjen e kompensimit gjatë periudhës së luftës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një ditë pas përfundimit të afatit të Tokios më 18 korrik, ministri i Jashtëm japonez Taro Kono thirri ambasadorin e Koresë së Jugut, Nam Gwan Pyo për të paraqitur notë proteste për "refuzimin e krijimit të një paneli të arbitrazhit për të zgjidhur çështjen", raportoi gazeta "Mainichi".
Duke e cilësuar përgjigjen e Seulit si "jashtëzakonisht të vrazhdë", Kono tha se: "Qeveria e Koresë së Jugut me veprimet e tanishme është duke shkatërruar rendin botëror të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore".
Më 19 qershor, Tokioja kërkoi nga Seuli të formojnë një panel të përbërë nga tre anëtarë të vendeve të treta për të zgjidhur çështjen e kompensimit të viktimave të kohës së luftës kur Japonia sundonte Gadishullin Korean gjatë viteve 1910-1945.
Megjithatë, Seuli refuzoi kërkesën duke pretenduar se çështja duhet "të zgjidhet përmes bisedimeve diplomatike, në vend të një procesi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve".
"Duke mos e adresuar këtë çështje, Koreja e Jugut mbetet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare," citon gazeta "Mainichi" ministrin japonez Kono t'i ketë thënë ambasadorit të Koresë së Jugut.
Ndërsa marrëdhëniet dypalëshe midis dy aleatëve të ngushtë të SHBA-ve në Lindjen e Largët mbeten në një nivel të ulët nga e kaluara,.Japonia më 4 korrik kufizoi eksportin e tre pajisjeve jetike elektronike.
Ky veprim u pa si hakmarrje nga Tokioja ndaj këmbënguljes së Seulit për të paguar kompensimin për viktimat e kohës së luftës nga firmat japoneze, siç u vendos nga një gjykatë koreane tetorin e kaluar.
Japonia ka refuzuar të përmbush detyrimet e dala nga vendimi i gjykatës në Seul, duke argumentar se çështja e kompensimit është mbyllur gjatë paktit dypalësh në vitin 1965.