Fatjon Cuka
06 Qershor 2016•Përditësim: 07 Qershor 2016
TIRANË (AA) - Një kontingjent i Batalionit Komando të Forcave të Armatosura shqiptare u nis me mision paqeruajtës në Afganistan, në kuadër të kontributit të Shqipërisë në operacionin e NATO-s “Resolute Support Mission”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Batalionit të Forcave Speciale në Zall – Herr të Tiranës, ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar, ushtarakë, familjarë të ushtarakëve që nisen në mision, etj.
Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet se në fjalën e saj, ministrja Kodheli tha se Shqipëria me politikat e saj gjithë këto vite ka treguar se di të jetë një fqinj i mirë dhe një aleat i denjë krah NATO-s.
“Jo më kot Ministria e Mbrojtjes renditet e para në besimin që qytetarët shqiptarë kanë dhe në transparencën që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura tregojnë”, tha ministrja Kodheli, e cila këtë herë zgjodhi një mënyrë të veçantë për të përshëndetur trupat pjesëmarrës në mision, duke i uruar personalisht të gjithë në emër.
Në fund të fjalës së saj, ministrja Kodheli përshëndeti edhe familjarët e ushtarakëve që nisen në mision duke i siguruar ata se kanë në shtëpitë e tyre djemtë më të mirë që shoqëria shqiptare mund të ketë.
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar, në fjalën e tij përshëndetëse tha se Forcat e Armatosura Turke dhe Forcat e Armatosura Shqiptare, kanë rritur performancën e tyre në fushën e mbrojtjes, duke treguar lidhjen e ngushtë mes dy popujve, sipas tij, mbështetur në lidhjet vëllazërore në shekuj. Ai e vuri theksin tek rreth 6 mijë ushtarakë shqiptare, të cilët gjatë kësaj periudhe janë trajnuar me afate të shkurtra apo të gjata në Turqi, ose në Shqipëri nga Forcat e Armatosura të Turqisë. Bayraktar shprehu bindjen e tij se kjo njësi e re që do të niset për Kabul, do t’i përmbushë më së miri detyrat e saj ashtu si edhe tre kontingjentet e mëparshme.
Kontingjenti i katërt paqeruajtës i Forcave të Armatosura të Shqipërisë do të shërbejnë për një periudhë 6 - mujore në Afganistan dhe do të veprojnë në përbërje dhe varësi të Komandës Rajonale Turke në Kabul.