Michael Hernandez
29 Korrik 2017•Përditësim: 30 Korrik 2017
WASHINGTON (AA) – Koreja e Veriut ka kryer testimin e dytë të një rakete balistike interkontinentale, transmeton Anadolu Agëency (AA).
"Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka zbuluar dhe ka ndjekur një raketë të lançuar nga Koreja e Veriut", deklaroi përmes një kumtese, zëdhënësi i Departamentit, Jeff Davis.
"Ne vlerësojmë se kjo raketë ishte një raketë balistike ndërkontinentale, ashtu siç ishte parashikuar", tha ai.
Davis më tej theksoi se raketa është lançuar nga vendi Mupyong-ni dhe ka udhëtuar 1 mijë kilometera, para se të binte në detin e Japonisë.
Davis duke theksuar se Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës së Amerikës së Veriut vlerësoi se raketa nuk paraqiste kërcënim për Amerikën e Veriut, shtoi se angazhimi i SHBA-ve ndaj aleatëve rajonal, Koreja e Jugut dhe Japonia, është "i hekurt".
“Ne mbetemi të përgatitur në drejtim të mbrojtjes së vetvetes dhe aleatëve tanë nga çdo sulm apo provokim", tha ai.
Trump dënoi testimin e fundit të raketës nga Koreja e Veriut
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump ka dënuar testimit e raketës balistike të Koresë së Veriut, duke u shprehur se bëhet fjalë për një aktivitet shumë të rrezikshëm.
Trump porositi se SHBA-të refuzojnë pohimin se Koreja e Veriut krahas armatimit dëshiron të garantojë sigurinë e saj.
“SHBA-të dënojnë këto aktivitete të rrezikshme, nuk pranojmë pohimin se këto aktivitete kanë për qëllim garantimin e sigurisë në vend.Kjo në fakt ka efekt të kundërt. Ky armatim, përveç se është kërcënim për mbarë botën, izolon Korenë e Veriut, dobëson ekonominë e saj dhe rrezikon popullin e saj. SHBA-të do të bëjnë hapat e domosdoshëm për të mbrojtur territorin e saj dhe aleatët në rajon”, theksohet në deklaratën e shkruar të Trumpit.
Veprimi i fundit i Koresë së Veriut paraqet një tjetër përpjekje të Veriut për të zhvilluar një program raketor të aftë për të goditur caqe në SHBA.