Zehra Nur Düz,Faruk Zorlu,Ekip
28 Gusht 2022•Përditësim: 29 Gusht 2022
Numri i të vdekurve nga përleshjet mes dy grupeve rivale në kryeqytetin libian Tripoli u rrit në 23 sot, njoftuan autoritetet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria libiane e Shëndetësisë tha se 140 persona u plagosën gjithashtu në përleshjet që shpërthyen në disa zona në Tripoli.
“Spitalet dhe qendrat shëndetësore të lidhura me Ministrinë e Shëndetësisë në Tripoli janë shënjestruar dhe bombarduar që nga orët e para të mëngjesit”, thuhet në një deklaratë tjetër.
Ajo u bëri thirrje palëve në konflikt që të mbrojnë institucionet shëndetësore, qendrat e urgjencës dhe ambulancat në qytet nga konflikti i armatosur dhe luftimet që kanë vazhduar të intensifikohen.
Ministria e Arsimit njoftoi anulimin e provimeve të diplomimit të shkollave të mesme për shkak të përplasjeve, ndërsa Libyan Wings Airlines pezulloi përkohësisht fluturimet për në Türkiye dhe Tunizi.
Ministria e Jashtme turke lëshoi një deklaratë, duke bërë thirrje për “ndërprerje të menjëhershme të përleshjeve”.
“Përshkallëzimi i dhunës rrezikon gjithashtu vendosmërinë e popullit libian për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm dhe vizionin e tyre për avancimin e procesit politik, veçanërisht mbajtjen e zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën nga Türkiye.
Duke përsëritur mbështetjen e Ankarasë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Libi, deklarata tha se Türkiye pret që “palët të lënë armët e tyre dhe të fokusohen në zgjidhjen e problemeve të tyre në mënyrë paqësore sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ambasada e SHBA-së në Tripoli tha se vendi është “thellësisht i shqetësuar” për përleshjet e dhunshme që shkaktuan vdekjen e civilëve.
Dhuna ndodhi pas mobilizimit nga forcat e lidhura me kryeministrin me bazë në Tripoli Abdul Hamid Dbeibeh dhe trupat besnike të Fathi Bashagha-s, i cili u emërua nga parlamenti me bazë në Tobruk si kryeministër në mars, pasi të dy figurat pretendojnë pushtet dhe autoritet në kryeqytet.
Libia ka qenë skenë trazirash që nga viti 2011 kur ish-udhëheqësi Muammar Gaddafi u rrëzua pas katër dekadash në pushtet.