Ayhan Şimşek
30 Prill 2019•Përditësim: 30 Prill 2019
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për integritetin territorial të Irakut dhe ka premtuar lidhje më të ngushta politike dhe ekonomike midis dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur pas takimit në një konferencë për media me kryeministrin e Irakut, Adil Abdul-Mehdi në Berlin, Merkel vlerësoi përpjekjet e qeverisë për të ruajtur unitetin e Irakut.
“Kam shprehur edhe njëherë qartë mbështetjen tonë për integritetin territorial të Irakut. Ne kemi marrëdhënie shumë intensive me qeverinë rajonale në Erbil, por gjithnjë si pjesë integrale e Irakut dhe ne do të vazhdojmë të ndjekim këtë qasje”, theksoi ajo.
Merkel tha se Gjermania ishte e interesuar në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Irakun në fushat e ekonomisë, energjisë dhe sigurisë, si dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për përpjekjet e rindërtimit në Irak pas viteve të luftimeve me grupin terrorist DEASH.
Pas takimit midis Merkel dhe Abdul-Mahdi, gjiganti gjerman i teknologjisë Siemens dhe ministri i energjisë irakiane, Luay al-Khateeb, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për përmirësimin e infrastrukturës së energjisë elektrike të Irakut.Abdul-Mahdi u tha gazetarëve se plani i Irakut për të përmirësuar infrastrukturën e saj të energjisë elektrike do të përbëhet nga katër faza, me projekte të ndryshme me vlerë prej rreth 14 miliardë dollarë (12.5 miliardë euro).
Kryeministri irakian tha se Siemens ka pasur mundësi të mira për të fituar shumicën e kontratës.