Malik Hasa
15 Tetor 2016•Përditësim: 16 Tetor 2016
TIRANË (AA) –Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë (kushtuar personave të verbër), për herë të parë nxënësit e Institutit që nuk shikojnë kanë vizituar Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, një pritje kjo e organizuar nga drejtuesit e ministrisë në shenjë solidarizimi ndaj tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë në kuadër të kësaj dite ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi ka prezantuar ndryshimet ligjore për detyrimin e të gjitha institucioneve për përshtatshmërinë për njerëzit me aftësi të kufizuara.
Nxënësit e Institutit që nuk shikojnë janë pritur në zyrën e tij nga ministri Klosi. Në shenjë ndjeshmërie për këtë ditë, fëmijët i vendosën Klosit shiritin në sy dhe i dhuruan shkopin e bardhë.
Ministri Klosi përshkoi rrugën për në zyrë me sytë e mbuluar dhe duke ndjekur shenjat e përshtatshmërisë, që janë vendosur në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Ministri tërhoqi vëmendjen të gjitha institucioneve të përshtatin ambientet për aksesueshmerinë e personave me aftësi të kufizuara, duke paralajmëruar ashpërsimin e ligjit dhe intensifikimin e kontrolleve për zbatimin e detyrimit ligjor për aksesueshmërinë.
"Ne kemi ndërmarrë një reformë të tërë për njerëzit me aftësi të kufizuar dhe të cilën do e implementojmë me guxim. Synojmë që të shkojë ndihma dhe mbështetja shtetërore pikërisht tek ata njerëz që kanë më shumë nevojë duke reduktuar në maksimum të gjitha burokracitë shtetërore dhe duke ulur në maksimum, abuzimet me skemën që të reduktohet korrupsioni që mbase ndonjëherë mund të jetë dhe i pavullnetshëm. Shpesh, ky sistem na çon edhe në ngjarje të cilat publikohen në media ku persona me aftësi të kufizuar, që vërtetë meritojnë mbështetjen shtetërore, përjashtohen nga skema. Po ashtu na duhet një harmonizim më i mirë i të gjitha institucioneve shtetërore, për të krijuar shërbim për të gjithë komunitetin", u shpreh Klosi.