Mustafa Deveci
05 Tetor 2020•Përditësim: 06 Tetor 2020
Ambasadori amerikan në Izrael, David Friedman deklaroi se në rast se zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen muajin e ardhshëm në SHBA i fiton kandidati i Partisë Demokratike, Joe Biden, politika e Washingtonit ndaj Iranit do të jetë e keqe për Izraelin dhe Gjirin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Friedman në prononcimin për faqen e lajmeve "Al-Ain" të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) tha se zgjedhjet presidenciale amerikane të 3 nëntorit janë çështja "më e rëndësishme" për Iranin.
"Jemi në një nivel shumë të mirë në lidhje me sanksionet ndaj Iranit dhe nëse vazhdojmë në këtë rrugë mendojmë se Iranit nuk i mbetet tjetër veçse t'i japë fund veprimtarisë së tij të dëmshme. Me të vërtetë punuam shumë për të sjellë Iranin në një pozitë shumë më të mirë. Unë e urrej të mendoj se një administratë e re mund ta minojë këtë, por fatkeqësisht nëse fiton Biden, mendoj se mund të ndodhë", u shpreh Friedman.
Ai gjithashtu theksoi se në rast se Biden fiton, politika e SHBA-së do të mund të ndryshojë. "Nëse fiton Biden sipas mendimit tim do të ketë një ndryshim të politikës dhe kjo do të jetë e keqe për rajonin ku ndodhen Izraeli, Arabia Saudite, EBA, Bahreini, Katari dhe Kuvajti", tha ai.