Ekip
27 Mars 2020•Përditësim: 27 Mars 2020
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Mesdheun Lindor, Ahmed Al Mandhari, paralajmëroi sot për pasojat e përhapjes së mundshme të koronavirusit të ri në vendet e shkatërruara nga lufta në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Shfaqja e virusit në vende shumë më të rrezikuara dhe me sisteme të brishta shëndetësore në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libinë, është shqetësim i veçantë", tha drejtori i Zyrës së Mesdheut Lindor të OBSH-së, Ahmed Al Mandhari.
Të mërkurën, numri i rasteve infektive në Siri është rritur në pesë. Një ditë më parë, Libia regjistroi rastin e parë të konfirmuar me COVID-19.
"Një vend si Siria, i shkatërruar nga konflikti dhe shpërngulja, dhe me një sistem shëndetësor tashmë të shtyrë në kufijtë e tij, do të mbingarkohet qartë nga një shpërthim i COVID-19, dhe ndikimi mund të jetë katastrofik”, shtoi ai në një deklaratë të lëshuar të premten.
Lufta e vazhdueshme civile në Libi, e shoqëruar me sistemin e saj të dobët shëndetësor, dobëson aftësinë e vendit për t'iu përgjigjur pandemisë së re, shtoi Mandhari.