Ruslan Rehimov
09 Tetor 2020•Përditësim: 10 Tetor 2020
Kryetari i Komunitetit Azerbajxhanas të Malësisë së Karabakut dhe deputeti i Parlamentit të Azerbajxhanit, Tural Genceliyev, ka theksuar se nuk duan të shikojnë Francën në pozicionin si bashkëkryesuese të Grupit Minsk të OSBE-së që zhvillon procesin e zgjidhjes së problemit të Malësisë së Karabakut.
Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) ai tha se "Duam të shikojmë Turqinë si një prej bashkëkryesuesve të Grupit Minsk të OSBE-së. Sepse Turqia është një vend që sjell stabilitet dhe mirëqenie. Ndërsa Franca shkakton që problemi të tensionohet edhe më tej".
Genceliyev, kryetar i Komunitetit Azerbajxhanas të Malësisë së Karabakut të formuar nga azerbajxhanasit që janë detyruar të braktisin atdheun e tyre si pasojë e pushtimit armen, foli mbi pritshmëritë e tij, procesin e zgjidhjes së problemit të Malësisë së Karabakut dhe operacionin që ushtria e Azerbajxhanit ka filluar për të çliruar territoret e tyre.
Ushtria e Azerbajxhanit duke kryer një operacion të suksesshëm ka pastruar territoret e tyre nga forcat pushtuese dhe terroriste, njoftoi Genceliyev, duke shtuar se qindra mijëra qytetarë të Karabakut janë bashkuar si një grusht i vetëm me shtetin dhe ushtrinë e tyre.
"E vetmja gjë që duam është të rikthehemi në territoret tona", tha Genceliyev, i cili theksoi se prej rreth 30 vitesh nuk mund të kthehen në atdheun e tyre dhe se nuk mund të vizitojnë varret e paraardhësve.
Genceliyev, deklaroi se qytetarët e Karabakut presin me padurim rikthimin në atdheun e tyre dhe se ai vetë dëshiron të kthehet sa më parë në qytetin Shusha ku ka lindur.
"Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë armenë në Karabak do të garantohet plotësisht"
Ai tërhoqi vëmendjen se integriteti territorial i Azerbajxhanit njihet nga të gjitha institucionet botërore dhe ndërkombëtare. Genceliyev u shpreh se "Shteti dhe kushtetuta e Azerbajxhanit mbrojnë të drejtat e të gjitha grupeve etnike në vend. Kur të përfundojë pushtimi, siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë armenë në Karabak do të garantohet plotësisht. Nuk do të ketë asnjë problem për ne që të jetojmë në paqe me ta. Unë u bëj thirrje qytetarëve tanë armenë në Karabak, që zgjidhja e vetme për ta është njohja e ligjeve të Azerbajxhanit. Nëse duan që kushtet e tyre të jetesës të përmirësohen, ata duhet t‘i përgjigjen thirrjes tonë. Ne si azerbajxhanas duam të kthehemi në tokat tona dhe duam të jetojmë bashkë me ta. Nuk mund të ketë ndonjë rrugë më të mirë se kjo. Nuk është një situatë e mirë që të jetohet nën robërinë e ndonjë regjimi, elementëve të paligjshëm. Kjo situatë nuk ka të ardhme".
"Ne nuk shkatërrojmë, përkundrazi vijmë për të ndërtuar"
E ashtuquajtura administrata armene në Malësinë e Karabakut ka hedhur në erë (shpërthyer) kishën në Shusha dhe këtë është përpjekur ta tregojë sikur e ka bërë Azerbajxhani, njoftoi Genceliyev, i cili tha se "Kjo është plotësisht gënjeshtër. Ne të gjitha monumentet fetare dhe kulturore në Azerbajxhan i shikojmë si trashëgiminë tonë. Si mund të hedhin në erë ne trashëgiminë tonë? Ne nuk shkatërrojmë, përkundrazi vijmë për të ndërtuar. Ne sjellim atje mirëqenie dhe lumturi".
Menjëherë pas përfundimit të pushtimit e gjithë infrastruktura në atë rajon do të rindërtohet nga shteti i Azerbajxhanit, në rajon do të mbërrijë paqja, qetësia dhe mirëqenia, vlerësoi Genceliyev.
Duke theksuar se qytetarët e Karabakut janë të vendosur që të kthehen në territoret e tyre dhe se deklaratat boshe që vijnë nga disa vende nuk mund t‘i ndalojnë ata, Genceliyev, deklaroi më tej:
"Franca po shpif kundër Azerbajxhanit. Nuk i njohin të drejtat tona. Unë i bëj thirrje Emmanuel Macron. Unë dua të kthehem në territoret ku kam lindur. Dua të riparoj varret e paraardhësve të mi. Përse Macron përpiqet të pengojë kërkesën time? Si do të ndihej sikur të përjetonte të njëjtën gjë? Kjo është politika dyfytyrëshe e Francës. Situata e bashkëkryesuesve të Grupit Minsk të OSBE-së duhet të rishikohet. Franca e cila nuk ka asnjë lidhje me rajonin mori pjesë në bashkëkryesim duke përfituar nga situata e dobët e Azerbajxhanit në atë periudhë”.
Ai theksoi më tej se "Ne kërkojmë që Franca të largohet nga bashkëkryesimi. Është Turqia e cila është një vend që ka kufi me Armeninë dhe Azerbajxhanin dhe e cila ka mundësi dhe potencial të madh nga pikëpamja e sigurisë. Fuqizimi i Turqisë në rajon, do të thotë stabilitet në rajon dhe zgjidhje e problemit nëpërmjet paqes në një kohë të shkurtër. Duam të shikojmë Turqinë si një prej bashkëkryesuesve të Grupit Minsk të OSBE-së. Sepse Turqia është një vend që sjell stabilitet dhe mirëqenie. Ndërsa Franca shkakton që problemi të tensionohet edhe më tej".