Şeyma Uzundere
07 Nëntor 2022•Përditësim: 07 Nëntor 2022
Twitter, kompania e medias sociale e blerë nga shefi ekzekutiv i gjigantëve amerikanë Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, pushoi nga puna 90 për qind të punëtorëve të saj në Indi gjatë fundjavës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi të The Straits Times, Twitter, i cili ka më shumë se 200 punonjës në Indi, ka pushuar nga puna shumicën e tyre.
Ndërsa 90 për qind e punonjësve në zyrat në New Delhi, Mumbai dhe Bengaluru u pushuan nga puna, 70 për qind e këtyre njerëzve ishin në ekipin teknik.
Përveç kësaj, gjithashtu u pushuan disa punonjës në njësitë e marketingut, politikave publike dhe komunikimit të korporatave.
Menaxhmenti i Twitter-it u kishte dërguar email punonjësve të tij se pushimet nga puna do të fillonin më 4 nëntor.
"Në përpjekje për ta vendosur Twitter-in në një rrugë të shëndetshme, ne do të kalojmë në një periudhë të vështirë të premten për të reduktuar fuqinë tonë punëtore globale", thuhej në email.
Lajmi se 7.500 punonjësit e kompanisë do të pushohen nga puna ishte shfaqur më parë në media pasi Musk bleu Twitter-in për 44 miliardë dollarë.
Pas përfundimit të procesit të blerjes, Musk fillimisht shkarkoi shefin ekzekutiv të Twitter-it, Parag Agrawal, shefin financiar Ned Segal, menaxheren e lartë ligjore dhe të politikave Vijaya Gadde dhe këshilltarin e përgjithshëm Sean Edgett.