Mustafa Deveci
13 Dhjetor 2018•Përditësim: 13 Dhjetor 2018
KUDS (AA) - Ushtarët izraelitë kanë vrarë një palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar me pretendimin se "ka tentuar të kryejë sulm me automjet", transmeton Anadolu Agency (AA).
Palestinezi ka rënë dëshmor në vendin e ngjarjes pasi është qëlluar nga ushtarët izraelitë në rajonin El-Bire në qytetin e Ramallahut, njoftoi në një deklaratë Gjysmëhëna e Kuqe e Palestinës.
Në deklaratë thuhet se ushtarët izraelitë nuk lejojnë hyrjen e ekipeve shëndetësore në rajon.
Ndërkaq, ushtria izraelite tha se "një vozitës palestinez në rajonin El-Bire të Ramallahut ka tentuar të përplasë me automjet ushtarët izraelitë".
Deklarata e ushtrisë theksoi se një ushtar izraelit është lënduar lehtë, kurse palestinezi që përdorte automjetin është qëlluar nga ushtarët, por nuk dha detaje të mëtejshme për gjendjen e palestinezit pasi u qëllua.
Ndryshe, tensionet në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar janë rritur vazhdimisht ditëve të fundit.
Mëngjesin e sotëm, dy izraelitë vdiqën dhe dy të tjerë u plagosën si rezultat i hapjes zjarr në një rrugë në vendbanimin ilegal Ofra, që është cilësuar si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së tre palestinezëve nga ana e forcave izraelite. Realizatori i sulmit u largua nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që forcat izraelite kanë mbyllur hyrjet dhe daljet në Ramallah.
Forcat izraelite sot në orët e hershme martirizuan një palestinez në rajonin e Qytetit të Vjetër të Kudsit Lindor me pretendimin se ka tentuar të kryejë sulm me thikë.
Po ashtu, forcat izraelite mbrëmë në një operacion vranë palestinezin Salih Omer Salil al-Bergusi, i cili ishte i dyshuar se ka kryer sulmin që ndodhi më 9 dhjetor në Afra, nga i cili u plagosën gjashtë izraelitë.
Ndërkaq, inteligjenca izraelite mbrëmë po ashtu vrau palestinezin Eshref Nualva, i cili ishte i dyshuar për vrasjen e dy izraelitëve më 7 tetor gjatë një përleshjeje në zonën industriale Burkan në vendbanimin kolon Ariel.