Recep Şakar
16 Mars 2019•Përditësim: 16 Mars 2019
Kryeminstrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern bëri të ditur se vendi i saj do të ndryshojë ligjin për armëmbajtje, raporton Anadolu Agency (AA).
Ardern iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me sulmin e djeshëm terrorist në Christchurch ndaj muslimanëve gjatë faljes së namazit të xhumasë në të cilin u vranë 49 persona.
Ajo tha se terroristi që kreu sulmin, në dhjetor të vitit 2017 ka marrë leje për armë dhe se gjatë sulmit ka përdorur 5 pushkë, prej të cilave dy pushkë gjysëm-automatike dhe dy pushkë gjahu.
"Derisa vazhdojnë aktivitetet tona rreth ngjarjes që ndodhi, mund t'ju them se do të ndryshojmë ligjin për armëmbajtje në vendin tonë", ka thënë Ardern.
Sipas ligjit aktual të Zelandës së Re, leje për armëmbajtje mund të marrë personi i moshës mbi 16-vjeçare i cili nuk ka dosje kriminale.
Ardern sot vizitoi Christchurch ku të premten ndodhi sulmi terrorist në dy xhamitë në të cilat në mënyrë mizore u ekzekutuan 49 persona. Përgjegjësinë për sulmin e mori një shtetas australian i moshës 28-vjeçare.