Ivana Ramadanova
20 Dhjetor 2015•Përditësim: 21 Dhjetor 2015
SHKUP (АА) – Nën moton “Nuk merret frymë”, qytetarët e Shkupit sot dolën në protesta para hapësirave të Qytetit të Shkupit kundër ndotjes së ajrit, raporton Anadolu Agency (AA).
Disa qindra qytetarë të cilët sot dolën në protesta kundër ndotjes së madhe të ajrit, kërkuan nga autoritetet kompetente ndërmarrjen konkrete të masave për të zgjidhur problemin. Ata theksojnë se edhe përkundër asaj se kanë kërkuar ndihmë, tërësisht janë injoruar nga institucionet.
"Këtu jemi që të shprehim revoltën kundër ajrit të ndotur me të cilin përballemi më shumë se 200 ditë të vitit. Shifrat të cilat i tregojnë stacionet matëse janë më shumë se alarmante. Madje katër qytetarë të Maqedonisë vdesin çdo ditë nga ndotja e ajrit, ndërsa 1400 raste të vdekjes ndodhin në nivel vjetor dhe këto janë shifra shumë alarmante, prandaj duhet të ndërmerret diçka lidhur me këtë. U bëjmë thirrje institucioneve kompetente, Ministrisë së Mjedisit Jetësor, përgjegjësve të komunave, dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë, të marrin masa”, deklaroi Merima Kondov, qytetar nga Shkupi.
Protestuesit kërkuan që të ndalet shfrytëzimi i gomave automobilistike si lëndë djegëse në prodhimtari, të vendosen filtra në kapacitetet industrial, të fillohet me gazifikimin e Shkupit dhe menjëherë të ndalohet me prerjen e pyjeve.
“Sipas matjeve, komunat më të ndotura në Shkup janë Lisiçeja e Re, Aerodromi, Qendra, Karposhi, Gazi Baba. Konsiderojmë se ka skaduar koha e mbledhjeve, koordinimeve, debateve, analizave, sepse qytetarët e Shkupit kërkojnë aksion menjëherë. Ajër të pastër tani dhe këtu”, deklaroi një qytetar pjesëmarrës në protestë.
Protestën e organizoi bashkësia e eko-aktivistëve “Shkupi smog-alarm” dhe nisma qytetare “Së bashku për mbrojtjen e gjelbërimit në Karposh 4”.
Ndërkohë, të premten mijëra qytetarë të Tetovës të organizuar nga Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” dhe “Eco Guerilla” protestuan kundër, siç u shprehën ata, ndotësit më të madh të ajrit në këtë rajon, kombinatit “Jugohrom”
Sipas sektorit civil ndotja e ajrit në masë të madhe është rritur, nëse merren parasysh objektet industriale, ngrohja gjatë dimrit, si dhe rritja e importit të automjeteve.