Fatjon Cuka
18 Maj 2016•Përditësim: 19 Maj 2016
TIRANË (AA) - Në Shqipëri sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve, ku objektivi i kësaj dite është të rrisë ndërgjegjësimin se “muzetë janë një mjet i rëndësishëm i shkëmbimit dhe pasurisë kulturore, bashkëpunimit dhe paqes mes njerëzve", raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Muzeu Historik kombëtar në Tiranë dhe muzetë e tjerë në vend organizojnë sot disa aktivitete për promovimin e muzeve dhe kulturës shqiptare. Për të gjithë objektet muzeale në Tiranë është treguar një interes i lartë nga turistët e huaj, por edhe vizitorët vendas.
Kështu Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë është hapur sot për të ofruar për publikun disa ekspozita me fotografi, por edhe punime të nxënësve, ndërsa edhe muzetë nëpër qytete dhe parqet arkeologjike kanë ofruar aktivitete promovuese për publikun, nxënësit e shkollave, si dhe turistët vendas dhe të huaj.
Në Muzeun Ikonografik Onufri, Berat është hapur ekspozita “Thesare të fshehura” me një cikël ikonash dhe objektesh të paekspozuara më parë.
Ndërsa në Muzeun e ri Kombëtar “Marubi”, në Shkodër, do të ekspozohen fotografi që nuk janë publikuar më parë për Shqipërinë.
Ministria e Kulturës e Shqipërisë e shikon Ditën Ndërkombëtare të Muzeve si një mundësi për promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.