Dejan Maksimoviç
03 Mars 2017•Përditësim: 04 Mars 2017
MADRID (AA) – Atletico Madrid ka njoftuar këtë mëngjes se gjendja e lojtarit të tyre Fernando Torres, i cili mbrëmë pësoi një lëndim në kokë është "e qëndrueshme dhe në vetëdije" dhe se ndodhet në spital, transmeton Anadolu Agency (AA).
Torres në ndeshjen e mbrëmshme të La Ligës si mysafir i Deportivo La Corunas në minutën e 85-të pati një përplasje të rëndë me futbollistin e Deportivos Alex Bergantinos.
Sulmuesi i shkëlqyer ditën e premte do t'i nënshtrohet disa testeve mjekësore, por nga Atletico kanë konfirmuar se kontrollet e para tregojnë se "nuk ka ndryshim apo lëndim traumatik".
Nga klubi madrilen theksojnë se Torres ka thënë: "Vetëm isha frikësuar, shpresoj që së shpejti do të shërohem".
Në momentin kur Torres u rrëzua pas duelit, lojtarët e të dyja klubeve vrapuan drejt tij për të ndihmuar, pasi që humbi vetëdijen, dhe thirrën shërbimin mjekësor. Disa minuta mjekët i ofruan ndihmë, dhe pastaj me barelë u nxorr nga fusha dhe me ambulancë u dërgua në spital.
Pas ndërprerjes disa minutëshe ndeshja vazhdoi dhe përfundoi me rezultatin 1:1. Deportivo kaloi në epërsi në minutën e 13-të me golin e Florin Andone, kurse rezultatin e barazoi Antoine Griezmann në minutën e 68-të. Pas 25 xhirove në La Liga, Atletico është në vendin e katërt me 46 pikë, ndërsa Deportivo në pozitën e 17-të me 20 pikë.