Ekip
06 Janar 2022•Përditësim: 06 Janar 2022
Mundësia që Novak Gjokoviq të luajë për titullin e 10-të të Australian Open u shua pasi vendi ia ndaloi hyrjen dhe ia anuloi vizën sepse ai nuk përmbushi kërkesat e përjashtimit nga rregullat e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Tenisiti i parë në botë Gjokoviq njoftoi në mediat sociale të martën se kishte "marrë një leje përjashtimi" dhe zbarkoi në Australi të mërkurën vonë me një përjashtim mjekësor nga qeveria e shtetit Victoria që pritej të bënte përjashtime nga rregulloret strikte të vaksinimit në fuqi për turneun e parë të madh të këtij viti.
Por autoritetet kombëtare kufitare nuk e pranuan përjashtimin, ndërsa Forcat Kufitare Australiane lëshuan një deklaratë ku thanë se Gjokoviq nuk i plotëson kërkesat e hyrjes.
"Rregulli është shumë i qartë. Duhet të keni një përjashtim mjekësor. Ai nuk kishte një përjashtim të vlefshëm mjekësor. Ne e bëjmë kërkesën në kufi, dhe aty zbatohet”, tha kryeministri Scott Morrison në një konferencë shtypi.
Ministri i Shëndetësisë, Greg Hunt, tha se anulimi i vizës pasoi rishikimin e përjashtimit mjekësor të Gjokoviqit nga zyrtarët kufitarë, të cilët shikuan "integritetin dhe provat që qëndrojnë pas tij".
Ai tha se Gjokoviç ishte i lirë të apelonte vendimin, "por nëse viza anulohet, dikush do të duhet të largohet nga vendi".
Presidenti i Serbisë, vendlindjes së Gjokoviq, kritikoi "keqtrajtimin" e yllit, i cili u ndalua gjatë natës në aeroportin Tullamarine të Melburnit. Fituesi i njëzetfishtë u detyrua të priste më shumë se tetë orë në aeroport duke pritur përgjigjen nëse do të lejohej të hynte në vend. Ai u transferua më vonë në një hotel të sigurt pranë qendrës së Melburnit, i cili kontrollohet nga zyrtarët e imigracionit.
Disa media lokale raportuan se në Gjykatën Federale ka nisur një veprim kundër anulimit të vizës së Gjokoviqit.
Përjashtimet mjekësore, të verifikuara nga dy panele të pavarur ekspertësh dhe të bazuara në informacionin e dhënë në mënyrë anonime nga lojtarët dhe të marrë në vlerë nominale, ishin krijuar për të lejuar Gjokoviq të luante në Australian Open, pavarësisht nga statusi i tij i vaksinimit.
Drejtori i turneut Australian Open, Craig Tiley, mbrojti të mërkurën "aplikimin dhe procesin plotësisht legjitim" dhe këmbënguli se nuk kishte trajtim të veçantë për Gjokoviq.
Qeveria e Viktorias ka përcaktuar se vetëm lojtarët, anëtarët e stafit, tifozët dhe zyrtarët plotësisht të vaksinuar mund të hyjnë në Melbourne Park në fillimin e turnet më 17 janar.
Vetëm 26 persona të lidhur me turneun aplikuan për përjashtim mjekësor, kurse Tiley tha se vetëm disa prej tyre u lejuan. Asnjë nga këta lojtarë nuk është identifikuar publikisht.
Shqetësimet për statusin e vizave u rritën të mërkurën kur Morrison, pasi fillimisht tha se kjo ishte çështje e qeverisë së Viktorias, tha nëse provat për të mbështetur aplikimin e përjashtimit të Gjokoviqit konsideroheshin të pamjaftueshme, "atëherë ai nuk do të trajtohet ndryshe nga askush tjetër, dhe ai do të jetë në aeroplanin tjetër për në shtëpi”.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Karen Andrews, tha se ndërsa qeveria e shtetit dhe organizatorët e turneut "mund të lejojnë një lojtar të pavaksinuar të konkurrojë në Australian Open, është qeveria e Commonwealth-it që do të zbatojë kërkesat tona në kufirin australian".