Dejan Maksimoviç
23 Dhjetor 2017•Përditësim: 25 Dhjetor 2017
MADRID (AA) – Mesfushori kroat i Barcelonës, Ivan Rakitiç, në prag të përballjes së 175-të të kampionatit - El Clasico, kundër Real Madridit, tha se për ekipin e tij përballja në Santiago Bernabeu nuk i ngjan finales së ndonjë gare, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Barca" në El Clasico hyn me epërsi të thellë prej 11 pikësh në krahasim me rivalin më të madh nga Madridi, i cili ka një ndeshje më pak. Në njoftimin e klubit të Barcelonës thuhet se edhe në rast të fitores dhe rritjes së epërsisë në 14 pikë, titulli i kampionit të Spanjës nuk do të sigurohet.
"Nuk e shohim derbin si finale. Valencinë e kemi pranë, këtu janë dhe Atletico Madrid dhe Sevilla. Është shumë vështirë të luash në La Liga, e cila nuk është sikur para katër apo pesë vitesh, sepse duhet që në çdo ndeshje të luash me 100 për qind të forcës. Nuk mund të thoni thjesht të fitojmë tre pikë në çdo ndeshje dhe pastaj të presim El Clasicon, sepse duhet të përgatitemi për çdo ndeshje në mënyreë të veçantë", ka thënë Rakitiç për mediat spanjolle.
"Sigurisht, e dimë se shumë njerëz në botë e presin këtë përballje, ndërsa ne duam të përfundojmë vitin në mënyrën më të mirë. Mirëpo, nëse fitojmë këtë El Clasico, asgjë nuk ka përfunduar. Mbeten edhe shumë ndeshje tjera të mëdha, të vështira. Shkojmë hap pas hapi", tha Rakitiç.
Barcelona është në krye të tabelës në La Liga me 42 pikë, ndërsa Reali i katërti me 31 pikë dhe një ndeshje më pak. Në pozitën e dytë dhe të tretë janë Atletico Madrid me 36 dhe Valencia me 34 pikë.
El Clasico në mes të Realit dhe Barcelonës do të luhet sot me fillim në ora 13:00.