Dejan Maksimoviç
30 Qershor 2016•Përditësim: 30 Qershor 2016
OMAHA (AA) – Notuesi me më shumë medalje në olimpiada në të gjitha kohërat, amerikani Michael Phelps (31), realizoi edhe një rezultat të shkëlqyeshëm. Në kualifikimet për ekipin notues olimpik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës fitoi në garën për 200 metra flutur dhe në këtë mënyrë do të marrë pjesë në Rio de Janeiro këtë verë, që do të jetë olimpiada e pestë e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Phelps edhe një herë do të hyjë në leksikonet sportive, duke u bërë sportisti i parë mashkull nga Amerika i cili do të marrë pjesë në pesë Olimpiada.
Paraprakisht Phelps ka hyrë në legjendat e sportit botëror si olimpiku me më së shumti medalje, 18 të arta, ndërsa gjithsej 22.
Është interesante se Phelps pas Lojërave Olimpike në Londër 2012 u tërhoq nga noti. Por, dy vite më vonë vendosi që të kthehet në pishinë. Vijoi pauza gjashtë mujore për shkak të drejtimit të automjetit në gjendje të alkoolizuar, por sërish arriti të kthejë dashurinë e tij të madhe ndaj notit.
“Kjo me siguri është gara më e vështirë për not që kam pasur në jetën time”, tha Phelps pasi arriti të shkojë në Rio.