Elvir Hociç
21 Gusht 2016•Përditësim: 21 Gusht 2016
RIO DE JANEIRO (AA) - Sonte në qytetin brazilian Rio de Janeiro do të mbyllen Lojërat e 31-ta Olimpike në të cilat prej 5 gushtit deri më sot më shumë medalje olimpike, siç pritej, ka fituar ekipi i SHBA-ve, ndërsa lista përfundimtare e fituesve të medaljeve do të publikohet pas garave të caktuara të cilat do të zhvillohet sot, raporton Anadolu Agency (AA).
Në listën e fituesve të medaljeve olimpike, SHBA-të bindshëm janë në pozitën e parë me 116 medalje, nga të cilat 43 ari, 37 argjendi dhe 36 bronzi. Ekipi i Britanisë së Madhe është në vendin e dytë me 66 medalje, 27 ari, 22 argjendi dhe 17 bronzi.
E treta është Kina, e cila ka 70 medalje, konkretisht 26 ari, 18 argjendi dhe 26 bronzi. Britanikët janë para kinezëve meqë kanë më shumë medalje ari.
Me pezullimin e shumë sportistëve për shkak të aferës së dopingut, Rusia, e cila renditet e 10-ta, në Olimpiadën në Rio fitoi 53 medalje, nga të cilat 17 të arit dhe të argjendit dhe 19 të bronzit.
Historik mbetet edhe rezultati për ekipin e Kosovës, që në herën e parë të paraqitjes në gara të tilla olimpike fitoi medalje të arit me anë të xhudistes Majlinda Kelmendi. Ndërsa ekipi i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë nuk sollën asnjë medalje, duke marrë pjesë me nga 6 sportistë.
Në këtë renditje Kroacia është në vendin e 17-të me dhjetë medalje, pesë të arit, tre të argjendit dhe dy të bronzit.
Më pas edhe Turqia është në vendin e 41-të me një medalje ari, tre të argjendit dhe katër të bronzit, ndërsa BeH-ja me 11 garues edhe kësaj here mbeti pa medalje olimpike.
Rreth 11.000 sportistë morën pjesë në Olimpiadën në Rio, ndërsa në mesin e tyre për herë të parë ishin Kosova, Sudani i Jugut si dhe ekipi olimpik i refugjatëve.
Dy emra shënuan Lojërat Olimpike në Brazil, Michael Phelps nga SHBA-të dhe Usain Bolt nga Xhamajka.Ceremonia e mbylljes së Lojërave të 31-ta Olimpike në Rio do të mbahet sonte vonë në stadiumin Maracana, ndërsa pishtarin olimpik do ta marrë Japonia e cila në vitin 2020 do të jetë vendi pritës i Lojërave të 32-ta Olimpike.