Fatjon Cuka
11 Janar 2017•Përditësim: 12 Janar 2017
TIRANË (AA) - Në Shqipëri një tjetër person ka humbur jetën si pasojë e virusit të gripit, duke e rritur në 3 numri e personave që kanë humbur jetën si pasojë e këtij virusi, raporton Anadolu Agency (AA).
Një e moshuar ka ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pas problemeve të shfaqura me virusin e gripit.
Ndërkohë lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë. "Pacientja Z. R, 73 vjeç, nga Kukësi, e shtruar në Spitalin Universitar 'Shefqet Ndroqi' më datë 08.01.2017, që ka rezultuar pozitive për virusin e gripit të stinës AH3N2, ka ndërruar jetë në orët e para të ditës së sotme. Ky është rasti i tretë i konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës", thuhet në njoftimin zyrtar të MSH-së.
Me një urdhër të ministrit shqiptar të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, çerdhet, kopshtet, institucionet arsimit parauniversitar dhe universitar do të qëndrojnë të mbyllura deri më 14 janar të këtij viti, për shkak të virusit të gripit.
Ndërsa sot në dy ngjarje aksidentale kanë humbur jetën dy persona, ku një fëmijë 12 vjeç është mbytur në liqenin e Kasharit në periferi të Tiranës. Ndërkohë një 40 vjeçar me inicialet XH.H, duke tentuar të qëndrojë sipër akullit në një liqen ka humbur jetën.
Kujtojmë se deri tani kanë humbur jetën 4 persona nga moti i ftohtë, ndërsa policia është duke hetuar edhe rrethanat e vdekjes së një personi që jetonte vetëm në Pogradec.