Saimir Alija
20 Nëntor 2019•Përditësim: 21 Nëntor 2019
Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është hapur ekspozita me fotografi të realizuara nga Edith Durham gjatë udhëtimeve në viset shqiptare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, tha se ekspozita dhe konferenca shkencore organizohet me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së Durham.
Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është hapur ekspozita me fotografi të realizuara nga Edith Durham gjatë udhëtimeve në viset shqiptare. Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, tha se ekspozita dhe konferenca shkencore organizohet me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së Durham. ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )
“Edith Durham gjatë jetës së saj ndërmori 7 udhëtime në Shqipëri, të cilat janë të rëndësishme dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Udhëtimi i parë i saj është në vitin 1901, udhëtimi i dytë 1902-1903, ky është dhe momenti ku ajo njeh dhe shqiptarët. Udhëtimi i tretë është në vitin 1904, ku ajo u përfshi edhe në komunitetin humanitar maqedonas”, tha Koçi.
Duke folur për udhëtimin e saj të katërt në vitet 1906-1907, Koçi theksoi: “Edith Durham udhëtoi në Mal të Zi dhe Hercegovinë për të mbledhur materialin etnografik që u botua shumë vite më vonë në librin e saj ‘Disa prejardhje fisnore, ligjore dhe zakone të Ballkanit’. Udhëtimi i pestë ishte në vitin 1908 dhe i gjashti në vitin 1911-1913 në të cilin ajo botoi dhe librin e famshëm ‘Lufta për Shkodrën’ dhe udhëtimi i shtatë ishte në vitin 1921”, u shpreh Koçi.
Në përfundim të fjalës së tij, Koçi tha se Mary Edith Durham do të mbetet një kujtim i bukur dhe personalitet i nderuar dhe i dashur për shqiptarët.
“Ajo që nga dita që shkeli në tokën shqiptare u mrekullua jo vetëm nga natyra, por nga shpirti dhe vlerat e shqiptarëve. Ajo është pjesë e historisë së Shqipërisë”, përfundoi Koçi.
Eksopzita përmban fotografi dhe skica të realizuara nga Edith Durham gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare, ndërsa do të qëndrojë e hapur për disa ditë.
Mary Edith Durham ishte një artiste dhe shkrimtare britanike që u bë e njohur për shkrimet e saj gjatë udhëtimeve që zhvilloi në Ballkan, duke u përqendruar veçanërisht në Shqipëri. Durham punoi për shumë organizata ndihmash, skicoi, pikturoi e shkroi, duke mbledhur artin dhe folklorin shqiptar.