Fatjon Cuka
11 Shtator 2019•Përditësim: 12 Shtator 2019
Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë dhe universiteti i Fondacionit Maarif të Turqisë, Universiteti i New Yorkut Tiranë (University of New York Tirana-UNYT), kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për zbatimin e projekteve të përbashkëta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Memorandumi është nënshkruar nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, dhe rektori i Universitetit të New Yorkut Tiranë, Prof. Dr. Ismail Kocauysufoğlu. Me projektet e përbashkëta dy institucionet synojnë të realizojnë botime, konferenca shkencore, ekspozita dhe aktivitete të tjera.
"Koçi dhe Kocauysufoğlu theksuan se me projektet që do të realizojmë synojnë në hapjen e ekspozitave të përkohshme në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar-Tiranë dhe të Universitetit të New Yorkut Tiranë, ku nëpërmjet dokumenteve arkivore, fotografive, objekteve, filmave dokumentarë dhe kronikave filmike do të japin një panoramë të përgjithshme për personalitetet dhe ngjarjet e rëndësishme historike të popullit shqiptar", thuhet në një njoftim nga Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë.
Më tej theksohet se projektet "do t’i shërbejnë shkëmbimit të eksperiencave të ndërsjella ndërmjet dy institucioneve".
Fondacioni Turk Maarif administron disa institucione arsimore në Shqipëri, përfshirë edhe Universitetin e New Yorkut në Tiranë.