Fatjon Cuka
05 Maj 2020•Përditësim: 06 Maj 2020
Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut në Shqipëri, drejtuesit e lartë të vendit kanë bërë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë Monumentit "Nënë Shqipëri", raporton Anadolu Agency (AA).
Një ceremoni zyrtare është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku të pranishëm ishin presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama.
Meta, Ruçi dhe Rama vendosën kurora me lule pranë Monumentit "Nënë Shqipëri", duke nderuar kujtimin e të gjithë dëshmorëve të vendit.

Për shkak të masave kundër përhapjes së kornavirusit të ri (COVID-19), në ceremoninë në Tiranë nuk ishin të pranishëm familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë.
Me rastin e kësaj dite, politikanë dhe zyrtarë të lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre, në nder të Ditës së Dëshmorëve.
Presidenti Meta në një prononcim për mediat pas ceremonisë tha se "Kjo është dita e heronjve, dita e martirëve, që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë".
Kryeparlamentari Ruçi, sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, në mesazhin e tij thekson se "Dita e Dëshmorëve të Atdheut është ndër ditët më të shënuara të kombit".
Ndërkohë, ceremoni përkujtimore për Ditën e Dëshmorëve janë organizuar edhe në qytete të tjera të vendit.
Institucionet qendrore dhe vendore, organizatat e shoqërisë civile, si dhe organizatat e dëshmorëve në Shqipëri organizojnë çdo vit ceremoni përkujtimore me rastin e 5 Majit.
Sipas Ligjit për "Statusin e Dëshmorit të Atdheut" Dita përkujtimore e Dëshmorëve është 5 Maji dhe kjo ditë përkujton të gjithë dëshmorët në Shqipëri.