Fatjon Cuka
08 Mars 2022•Përditësim: 09 Mars 2022
Me disa aktivitete të ndryshme në Shqipëri është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gruas, ndërkohë nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë është organizuar tryeza e diskutimit me temë "Bashkë me Organizatën Ndërkombëtare të Punës kundër Dhunës", raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e saj në aktivitet, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se reforma legjislative kundër dhunës gjinore në Shqipëri ka filluar në vitin 2006 dhe sipas saj ka kaluar në disa faza.
Ajo shtoi se në vitin 2017 Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën për dënimin e dhunës ndaj grave e vajzave dhe rritjen e ndikimit të mekanizmave ligjorë për parandalimin e saj.
"Më 3 shkurt 2022, Kuvendi miratoi, me të gjitha votat pro, ligjin për ratifikimin e Konventës 190 të ILO-s, ‘Për dhunën dhe ngacmimin’, e cila ka në fokus eliminimin e dhunës dhe të ngacmimeve me bazë gjinore në vendin e punës. Duhet thënë se Shqipëria është ndër të parat shtete që e kanë ratifikuar këtë konventë, duke dëshmuar sensibilitet të lartë në mbrojtjen e grave dhe vajzave në tregun e punës", tha Nikolla.
Ajo shtoi se miratimi i konventës fuqizon dhe plotëson kuadrin ligjor ekzistues, krijon hapësirat për të drejtat e grave në vendin e punës dhe nxit përgjegjësinë e institucioneve shtetërore për të ndërvepruar me sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve, për garantimin e mbrojtjes së grave e vajzave nga diskriminimi në vendin e punës.
Sipas kryeparlamentares Nikolla, kundër dhunës në familje janë krijuar mjaft mekanizma ligjorë.
Instalacion kundër dhunës ndaj grave
Në mesin ngjarjeve që shënuan 8 Marsin në Shqipëri është edhe instalacioni artistik "Këpucët e kuqe".
Ky instalacion i vendosur në Tiranë në mënyrë simbolike ka për qëllim të sensibilizojë për të ndaluar dhunën ndaj grave.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, aktivitete të ndryshme janë organizuar nga institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile që kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të grave.