Fatjon Cuka
23 Maj 2022•Përditësim: 24 Maj 2022
Shqipëria do të presë më 25 maj finalen e Ligës së Konferencës të UEFA-së, Roma - Feyenoord, kompeticioni më i ri i UEFA-s, ndërkohë në Tiranë vazhdojnë përgatitjet për mbarëvajtjen e ndeshjes, pritjes së ekipeve dhe tifozëve dhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeqyteti i Shqipërisë është dekoruar nga Bashkia e Tiranës me banderola dhe materiale informuese rreth ndeshjes dhe ekipeve, ndërkohë vazhdojnë përgatitjet për ngritjen e skenave dhe stendave të aktiviteteve që do të organizohen në vazhdim.
Sheshi "Skënderbej" në Tiranë do të jetë vendi kryesor ku do të zhvillohen aktivitetet, ku do të ketë lojëra të organizuara posaçërisht për fëmijët, një fushë futbolli ku të gjithë njerëzit do të luajnë futboll në shesh, si dhe aktivitete të tjera për fëmijët dhe të rritur.
Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) do të ketë edhe ekspozim të trofeut të finales në shesh.
Në kuadër të finales, në Tiranë do të organizohen aktivitete të ndryshme sportive, por edhe të tjera, si dhe do të ketë dy Fan Zone për tifozët e ekipeve të Romës dhe Feyenoord.
Ndërkohë, me qëllim garantimin e sigurisë për sportdashësit e të dy ekipeve, si dhe sigurimin e lëvizjes së tyre, Policia e Shqipërisë, në bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, do të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore ditën e ndeshjes.