Afra Aksoy
24 Nëntor 2016•Përditësim: 24 Nëntor 2016
JERUSALEM (AA) - Qeveria izraelite të mërkurën miratoi ndërtimin e 500 njësive të reja të banimit në kuadër të ndërtimit të vendbanimeve hebreje në Jerusalemin Lindor, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e Shoqatës izraelite "Ir Amim", e cila punon në promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, thuhet se administrata e qytetit të Jerusalemit miratoi ndërtimin e njësive të reja të banimit.
"Komisioni për planifikimin dhe ndërtimin e qytetit të Jerusalemit ka miratuar një plan që parashikon ndërtimin e 500 njësive të banimit në kuadër të lagjes hebraike Ramat Shlomo", thuhet në deklaratë dhe rikujtojnë se këto plane janë pezulluar në vitin 2014.
Ramat Shlomo është lagje ultra-ortodokse hebraike, që ndodhet pranë lagjes palestineze Shuafat.
Gjithashtu theksohet se me ndërtimin e njësive të reja të banimit synohet zgjerimi i vendbanimeve hebraike në qytetin palestinez Beyt Hanina si dhe vazhdimi i ndërtimit të vendbanimeve hebraike në pronat palestineze.
Kryetari i Komisionit për planifikim dhe ndërtimin e qytetit të Jerusalemit Meir Turgeman u tha gazetarëve se me vendimin e fundit synohet që sërish të rinovohen planet e ndërtimit të vendbanimeve hebraike, e cila më parë ishte pezulluar.
Qyteti i Jerusalemit ka njoftuar se "planet për të cilat flitet nuk janë të reja dhe se janë miratuar disa vite më parë".
Palestinezët kërkojnë që plotësisht të ndalohet ndërtimi i vendbanimeve hebraike në territorin palestinez.
Më shumë se 200 mijë kolonë izraelitë aktualisht jetojnë në bashkësi në Jerusalemin Lindor, të cilin Izraeli e ka pushtuar së bashku me pjesën tjetër të Bregut Perëndimor, Rripin e Gazës dhe pjesë të Egjiptit dhe Sirisë që nga lufta e vitit 1967.
Më shumë se gjysmë milion izraelitë jetojnë në vendbanime në mbarë Bregun Perëndimor, përfshirë edhe Jerusalemin lindor.