Ömer Faruk Yıldız
12 Prill 2022•Përditësim: 12 Prill 2022
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se deri më tani në Ukrainë janë kryer 108 sulme ndaj objekteve shëndetësore, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i OBSH-së, Bhanu Bhatnagar, foli në një konferencë shtypi në selinë e OKB-së në Gjenevë për zhvillimet më të fundit në sistemin e kujdesit shëndetësor dhe mjekësor të rajonit.
Bhatnagar tha se Sistemi i Monitorimit të OBSH-së për sulmet ndaj objekteve shëndetësore ka konfirmuar 108 sulme që nga 24 shkurti, duke vrarë të paktën 73 njerëz dhe duke plagosur 51 të tjerë.
Ai theksoi se OBSH-ja vazhdon dërgimin e ndihmës mjekësore, ndërsa deri më tani në zonë janë dërguar 216 tonë furnizime emergjente dhe mjekësore.
Bhatnagar shpjegoi se 122 tonë të asaj ndihme u dërguan në qytetet në lindje dhe veri, të cilat ishin më të prekura nga lufta.
Ai gjithashtu theksoi se po bëjnë gjithçka që munden për të hapur një zyrë të OBSH-së në Kiev.
"Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të jemi të pranishëm në kryeqytet. Në këtë mënyrë, mund të arrijmë në zonat fqinje, të plotësojmë nevojat mjekësore dhe të jemi në kontakt më të shpeshtë me zyrtarët qeveritarë", tha Bhatnagar.
Ai shtoi se planifikojnë të zgjerojnë qendrën në Dnieper dhe paralajmëroi vazhdimin e ndihmës mjekësore për Ukrainën, duke sqaruar se në ditët në vijim do të sigurohen 15 gjeneratorë dhe 20 autoambulanca për disa spitale.
Sipas tij, rreth 300 institucione shëndetësore janë në vijën e konfliktit dhe mbi 1.000 janë braktisur për shkak të konfliktit, gjë që ka vështirësuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore në zonë.
Nga ana tjetër, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) tha se duhet të sigurojë 590 milionë dollarë ndihmë për 3,1 milionë njerëz të prekur nga kriza në Ukrainë gjatë tre muajve të ardhshëm.