Muhammet Kurşun
26 Shkurt 2019•Përditësim: 26 Shkurt 2019
Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif mbrëmë dha dorëheqje të papritur, ndërkaq nga Teherani pretendojnë se arsye për dorëheqjen e tij është ajo se duke mos pasur njohuri, Iranin dje e vizitoi presidenti sirian Bashar al-Assad, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtëpia mediatike "Entekhab" raporton se Zarif në një përgjigje të shkurtër në pyetjen lidhur me arsyet për dorëheqjen deklaroi se si ministër, pas takimeve të djeshme në Teheran dhe fotot e publikuara, ka humbur reputacionin e tij në botë.
Agjencia studentore iraniane e lajmeve (ISNA) raporton se Zarif dje dha dorëheqje për shkak të ardhjes së liderit të regjimit sirian në Teheran dhe takimet e tij me liderin fetar iranian Ayatollah Ali Khamenei dhe presidentin iranian Hassan Rouhani.
Në takime nuk mori pjesë ministri i Jashtëm Zarif ndërsa në fotografitë e këtyre takimeve është dhe komandanti i Gardës Revolucionare, Kasim Sulejmani.
Dorëheqjen e ministrit Zarif, si një humbje të madhe për politkën e jashtme të Iranit i pari e komentoi anëtari i kryesisë së Parlamentit iranian Ali Riza Rahimi.
"Nuk ekziston Zarif tjetër. Ai që do të zëvendësojë atë do të dëgjojë qeverinë e dëmshme dhe do të shkatërrojë shumë arritje të revolucionit. Nëse dorëheqja e Zarif formalizohet kjo do të thotë se shpatat e opozitës janë të efektshme. Nesër Parlamenti do të diskutojë për prapskenat e dorëheqjes së Zarifit", ka thënë Rahimi.