Malik Hasa
29 Dhjetor 2016•Përditësim: 29 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) – Eksportet në Shqipëri gjatë muajit nëntor janë rritur me 17.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo rritje është konfirmuar sot nëpërmjet një njoftimi zyrtar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, duke iu referuar raportit të fundit të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT).
Në këtë raport jepen detaje mbi ecurinë e tregtisë së jashtme të Shqipërisë gjatë vitit 2016. Sipas këtij raporti në muajin nëntor të këtij viti eksportet kanë qenë 5.4 për qind më të larta se një muaj më parë dhe 17.4 për qind më të larta krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Raporti thotë se vlera e eksporteve për këtë muaj ka shkuar në 23 miliardë lek duke pasur kështu një rritje prej 17.4 për qind.
Ndërsa importet janë rritur me 0.6 për qind gjatë muajit nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që ka patur një rritje prej 1.0 për qind të tyre krahasuar me një muaj më parë.