Elvir Hociç
15 Maj 2016•Përditësim: 16 Maj 2016
LONDËR (AA) - Trajneri i kampionit të ri në Angli Liecester City dhe ish trajneri i Chelsea-t londinez Claudio Ranieri ka deklaruar se e mbështetë bashkëkombasin e tij Antonio Conte nga i cili pret që sezonin e ardhshëm pas ardhjes në pankinën e Chelseat të bëjë revolucion në atë klub dhe ti kthejë "të kaltrit" e njohur në rrugën e suksesit dhe famës, raporton Anadolu Agency (AA).
Sot luhet xhiroja e fundit në Premier ligën angleze në të cilën në Londër takohen Chelsea dhe Leicester City. Ndeshja tërhoqi vëmendjen e publikut edhe për shkak se në pankinën e Chelseat për herë të fundit do të ulet eksperti holandez Guus Hiddink, ndërsa për kundërshtar do ta ketë Leicesterin të cilin nga stoli do ta udhëheq ish-trajneri i Chelseat Ranieri.
Ranieri në prag të takimit të sotëm për mediat angleze tha se ai mbështet bashkëkombasin e tij Conte, i cili pas pjesëmarrjes me Italinë në EURO në Francë do të merr Chelsean.
Duke theksuar se ky sezon ishte i vështirë dhe zhgënjyes për Chelsean i cili si kampion për të mbrojtur titullin përfundoi sezonin në pozitën e nëntë, Ranieri ka thënë se nga Conte pret që pas mbërritjes në Stamford Bridge të bëjë revolucion dhe të kthejë klubin në rrugën e fitoreve.
"Conte është energjik dhe njeri i fortë. Unë pres të bëjë revolucion dhe ndryshime të mëdha. Ai është i përqendruar në punën e tij dhe kujdeset për çdo detaj. Ai gjithmonë dëshiron të ketë gjithçka nën kontroll, nga ushqimi dhe jeta private, deri tek trajnimi dhe vetë loja në fushë", ka thënë Ranieri.